05/04/2021

Përballje interesante në çerekfinale të Ligës Unike

Të martën dhe të mërkurën do të zhvillohen ndeshje interesante në çerekfinale të Ligës Unike.

Sipas shortit në çerekfinale do të kemi dy duele mes skuadrave nga Kosova dhe Shqipëria, një duel mes skuadrave kosovare dhe një mes atyre shqiptare.

Takimi i parë do të jetë mes Vllaznisë nga Shkodra dhe Pejës. Këto dy skuadra janë ballafaquar më herët edhe në Ligën Ballkanike, andaj pritet një përballje interesante. Më pas është hapja solemne, ku do të ketë mysafirë specialë.

Përballja e dytë është ndërmjet Rahovecit dhe Teutës, ku Vreshtarët në shtëpi synojnë kualifikimin në gjysmëfinale, derisa durrësakët për të dëshmuar se nuk kanë ardhur me flamur të bardhë.

Të mërkurën do të përballen Goga Basket dhe Tirana. Skuadra nga Durrësi kishte fituar titullin më 2019, kurse tiranasit kanë fituar 46 trofe në histori të klubit dhe sigurisht se do të mundohen të shtojnë edhe një trofe në sirtar.

Dueli i fundit çerekfinal është mes finalistëve të Kupës së Kosovës, Golden Eagle Yllit dhe Prishtinës. Skuadra prishtinasi triumfoi në Kupë, ndërsa është skuadra më e trofeshme në vend, madje duke fituar dy herë Ligën Ballkanike, por sigurisht do të bëjë çmos që të fitojë edhe këtë trofe të çmuar. Në anën tjetër, Ylli ka bërë investime, por nuk ka fituar trofe, andaj triumfi në Ligën Unike do të ishte speciale për klubin nga Theranda.

Garat do të zhvillohen në format të "Final 8" me sistem eliminimi dhe ndeshjet e para çerekfinale do të luhen në Rahovec me datë 6 dhe 7 Prill 2021, ndërsa ndeshjet gjysmëfinale, gara për vendin e tretë dhe finalja e madhe e Ligës UNIKE do të zhvillohen me datat 13-14 Prill në Durrës.

Ndeshjet në Rahovec do të zhvillohen me masa të rrepta anti-Covid19, duke ju përmbajtur Udhëzuesit për Rikthimin në Fushat e Basketbollit. Për shkak të numrit të limituar të personave në palestër, nuk do të ketë media, megjithatë, stafi i Ligës Unike do të ju ofrojë Highlights dhe Intervistat pas ndeshjes, po ashtu edhe fotografi dhe raportet e ndeshjeve.

Orari

E martë

16:00 Vllaznia-Peja

19:00 Rahoveci-Teuta

E mërkurë

16:00 Goga Basket-Tirana

19:00 Sigal Prishtina-Golden Eagle Ylli

Gjysmëfinalet dhe finalet

13 Prill

16:00 Gjysmëfinalja e parë

19:00 Gjysmëfinalja e dytë

14 Prill

16:00 Ndeshja për vendin e tretë

19:00 Finalja e madhe