Rahoveci-Peja është gjysmëfinalja e parë në Ligën Unike. Vreshtarët kaluan në gjysmëfinale pa lojë, pas tërheqjes së Teutës, kurse Peja kishte mundur Vllazninë në çerekfinale. Të dy skuadrat e duan trofeun e Ligës Unike, pasi ky është edicioni i parë dhe historik.
Basketbollisti i Rahovecit, Alban Veseli është shprehur se rëndësi ka jetësimi i kësaj lige.
“Mendoj se më shumë sesa rezultatet ekipore, rëndësi ka jetësimi i kësaj lige. I përshëndes të dy federatat (Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë) për finalizimin e këtij projekti madhështor. Sa i përket ndeshjes ndaj Pejës, do të jetë e paparashikueshme, duke marrë parasysh kualitetin e të dy skuadrave”, ka thënë Alban Veseli për faqen zyrtare të Ligës Unike.
Edhe për Dardan Berishën, kjo ligë është historike. “Sigurisht se e përkrahim Ligën ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo është një ëndërr e realizuar për shumë shqiptarë. Besoj se kjo Ligë është shumë interesante dhe me interes për publikun mbarëshqiptar”, theksoi Berisha.
Ndeshja Rahoveci-Peja do të zhvillohet më 13 Prill nga ora 16:00 në Durrës.