14/04/2021

Vendi i tretë i takon Rahovecit

Në ndeshjen për vendin e tretë të Ligës Unike, Rahoveci ka shënuar fitore ndaj Goga Basket 81:74 (25:21, 16:19, 22:17, 18:17).

Vreshtarët e nisën më mirë ndeshjen, duke pasur epërsi konstante në çerekun e parë, ku epërsinë më të lartë e kishte 25:18, derisa kjo pjesë përfundon 25:21. Në periodën e dytë më të mirë ishin durrësakët që jo vetëm barazuan rezultatin, por edhe kaluan në epërsi 33:36, kurse skuadrat shkuan në pushim me shifrat 41:40.

Rahoveci sërish shkëputet në periodën e tretë, 61:51, derisa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 63:57. Goga Basket tentoi në fund që të rikthehet, por nuk ia arriti qëllimit dhe Rahoveci triumfoi 81:74.

Te Rahoveci u dalluan Marvin Jones me 25 pikë, Ed Daniel me 16 pikë e 11 kërcime dhe Altin Morina me 13 pikë e 11 kërcime, kurse te Goga Basket u dalluan Endrit Hysenagolli me 20 pikë e 13 kërcime dhe Milic Blagojeviq me 22 pikë e 10 kërcime.

Nga ora 19:00 do të zhvillohet finalja e madhe mes Pejës dhe Golden Eagle Yllit.