16/04/2021

“Jetësimi i ëndrrës së shumë shqiptarëve”

Liga Unike përfundoi të mërkurën me shpalljen kampion të Golden Eagle Yllit, që triumfoi në finale ndaj Pejës.

Pjesa finale e garave u zhvillua në palestrën “Dhimitraq Goga” në Durrës, derisa çerekfinalet ishin zhvilluar në Rahovec.

Një organizim i jashtëzakonshëm në dy qytetet për një kohë të shkurtër dhe në kohë pandemie.

Edicioni i parë dhe historik i Ligës Unike përfundoi në mënyrën më të mirë të mundshme me një angazhim të madh nga stafi i Ligës Unike, Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe Federatës së Basketbollit të Shqipërisë (FSHB), të përkrahur nga edhe klubet vendase, KB Rahoveci dhe KB Goga Basket.

Kryetari i Bordit të Ligës Unike, Ilir Trebicka, Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu dhe Presidenti i FSHB-së, ishin shumë të lumtur që jetësuan ëndrrën e shumë shqiptarëve për një ligë të përbashkët dhe ky projekt nuk mbeti vetëm në letër, por u realizua me një punë të madhe.

Kjo është hera e parë që organizohet një ligë mes Kosovës dhe Shqipërisë në sportet kolektive.

Trebicka, Fetahu dhe Ponari ishin shumë të kënaqur për edicionin e parë, duke u zotuar se edicioni i ardhshëm do të jetë edhe më spektakolar dhe me shumë ndryshime pozitive.