22/07/2021

KB Prizreni konfirmon pjesëmarrjen në Ligën Unike

KB Prizreni - 16 ka konfirmuar pjesëmarrjen në edicionin e ri të Ligës Unike. Skuadra prizrenase edicionin e kaluar në Superligën e Kosovës në basketboll përfundoi garat e rregullta në vendin e parë, kurse në gjysmëfinale të “Play-offit” ishte eliminuar nga Peja, duke fituar të drejtën për të marrë pjesë në Ligën Unike.

Drejtuesit e klubit prizrenas pas një takimi me drejtuesit e Ligës Unike janë pajtuar për të marrë pjesë dhe duke u shprehur të lumtur që do të jenë pjesë e kësaj lige, që bashkon skuadrat nga Kosova dhe Shqipëria.

Më herët, kampioni i Ligës Unike dhe Kosovës, Golden Eagle Ylli ka konfirmuar pjesëmarrjen, ndërsa shumë shpejt do të bëhen të ditura të gjitha klubet të cilat do të garojnë në edicionin e ardhshëm të Ligës Unike.

Risi në këtë edicion do të jetë edhe fillimi i garës në konkurrencën e femrave, me tri skuadra nga Kosova dhe tri nga Shqipëria, derisa shorti për të dy konkurrencat do të hidhet në muajin gusht.

Edicioni i ri në Ligën Unike do të fillojë më 20/21 Tetor, kurse para fillimit të garave do të organizohet Superkupa Mbarëkombëtare në të dy konkurrencat.