29/07/2021

Finalistja konfirmon pjesëmarrjen në Ligën Unike

Klubi i Basketbollit Peja ka konfirmuar pjesëmarrjen në edicionin e ri të Ligës Unike. Klubi pejan ka konfirmuar pjesëmarrjen, duke u shprehur i lumtur që do të jetë pjesë e Ligës, ku garojnë top-klubet nga Kosova dhe Shqipëria.

Peja, edicionin e kaluar ishte finaliste e Ligës Unike, duke pësuar humbje në finale nga Golden Eagle Ylli. Peja ishte edhe finaliste në “Play-off” të Superligës së Kosovës në basketboll, ku po ashtu kishte humbje nga Ylli.

Risi në këtë edicion do të jetë edhe fillimi i garës në konkurrencën e femrave, me tri skuadra nga Kosova dhe tri nga Shqipëria, derisa shorti për të dy konkurrencat do të hidhet në muajin gusht.

Edicioni i ri në Ligën Unike do të fillojë më 20/21 Tetor, kurse para fillimit të garave do të organizohet Superkupa Mbarëkombëtare në të dy konkurrencat.