06/08/2021

Liga Unike edhe te femrat

Liga Unike pritet që të jetë mjaft interesante në edicionin e ri me skuadrat më të mira nga Kosova dhe Shqipëria.

Këtë edicion risi do të jetë edhe fillimi i garave në konkurrencën e femrave.

Në edicionin garues 2021/2022, do të garojnë nga tri skuadra nga Shqipëria dhe tri skuadra nga Kosova, të cilat do të luajnë në sistem të garave vajtje-ardhje me 10 xhiro të rregullta dhe play-off. Klubet nominohen nga Federatat Nacionale. Para fillimit të kampionatit të Ligës Unike, do të organizohet Superkupa Mbarëkombëtare në dy konkurrencat. Edicioni i rregullt 2021/2022 i Ligës Unike në dy konkurrencat të fillojë më 20/21 tetor 2021.

Në edicionin e fundit, garat në konkurrencën e femrave në Kosovë ishin mjaft interesante me katër skuadra që luftonin për titull, ndërkohë tri skuadra fituan nga një trofe. Bashkimi fitoi Superkupën, Prishtina fitoi Kupën dhe Penza u shpall kampione.

Ndërkohë, në Shqipëri kampion u shpall Flamurtari, duke mundur Partizanin 3:0 në serinë finale, ndërkohë Kupën e fitoi Partizani, duke mundur në finale Flamurtarin 89:85.