09/08/2021

Marigona dhe Igena, Mbretëreshat e rekordeve

Në edicionin e ri do të zhvillohet Liga Unike edhe në konkurrencën e femrave, ku do të marrin pjesë tri skuadra nga Kosova dhe tri nga Shqipëria.

Edicioni pritet të jetë mjaft interesant me skuadrat më të mira nga këto dy shtete.

Rekordin sa i përket pikëve në një ndeshje në Superligën e Femrave në Kosovë e mban Marigona Rushiti. Në vitin 2018, Rushiti shënoi plot 116 pikë kundër Vushtrrisë në fitoren e Prishtinës prej 126:31. Rushiti ishte e jashtëzakonshme, duke shënuar pothuajse të gjitha pikët për skuadrën prishtinase, derisa lojtaret tjera shënuan vetëm 10 pikë për 40 minuta, duke e ndihmuar Marigonën të thyejë rekordin në basketbollin e femrave në Kosovë.

Ndërkohë, në Shqipëri, rekordin e mban basketbollistja e njohur Igena Qypi. Ajo në vitin 2017 derisa po mbronte ngjyrat e Goga Basket realizoi 100 pikë ndaj Kamzës, ku skuadra durrësake fitoi me rezultat 133:25. Edhe pse kanë kaluar katër vite rekordi i saj nuk është thyer.

Tashmë mbetet në Ligën Unike se kush do t’i thyejë rekordet. Edicioni i ri fillon në fund të muajit tetor.