Liga Unike është e para në sportet kolektive që bashkon skuadrat më të mira nga Kosova dhe Shqipëria. Edicioni i parë për shkak të pandemisë u zhvillua në formë të Final 8, kurse në këtë edicion do të zhvillohet mes katër skuadrave më të mira nga Kosova e Shqipëria te meshkujt dhe tri më të mirat nga Kosova e Shqipëria te femrat.
Kur u nënshkrua formimi i Ligës Unike vëmendje të madhe mori logo zyrtare e kësaj lige. Logon e ka punuar Gramoz Boshnjaku, i cili është frymëzuar te mburoja ilire, që e simbolizon këtë logo.
Rrethi është si top i basketbollit, derisa përbëhet nga 3 veti të veçanta:
TARGETIN e qartë drejt zhvillimit të qëndrueshëm të shoqërisë përmes aktivitetit sportiv.
UNITETIN si qëllim parësor i socializimit të shoqërisë, rritjes së interaktivitetit dhe bashkëpunimit në mes shteteve, regjioneve dhe njerëzve në përgjithësi.
FUQINË e pathyeshme të mburojës e cila është ndërtuar në baza të forta të cilat sigurojnë qëndrueshmëri dhe pathyeshmëri përkundër shumë barrierave.