Liga Unike ‘bashkon’ Kosovën dhe Shqipërinë në basketboll, një ligë ku marrin pjesë skuadrat më të mira nga të dy shtetet.
Por, si filloi basketbolli në Kosovë?
Topi i basketbollit, që Hajrullah Morina e kishte sjellë në Gjakovë nga Torino, ku kishte studiuar besohet se shënon fillimin e basketbollit në Kosovë.
Thuhet se basketbolli në Kosovë ka filluar të luhet në vitet e 40-ta, por shënime për ndeshje të organizuara ka që nga viti 1945, kur u themelua klubi i parë i basketbollit në Prizren.
Nga ato pak burime që i kanë shpëtuar kohës mund të kuptohet se rreth Xhevdet Xhihës në Prizren janë mbledhur basketbollistët e parë që ka dhënë Kosova e ndër pioniere numërohen Rexhep Parteshi, Bardhyl Zajmi, Haki Dushi, Qamil Nixha, Mehmet Dobërçani Bashkim e Arsim Fehmiu, Ali Dauti, Rexhai Surroi, Mustafa Shahini, Fehmi Nixha, Bane Zhiviq, Nazim Pula, Fadil Stavileci e të tjerë.
Themelimi i klubeve pas Luftës së Dytë Botërore dhe vëmendja e entuziazmi e shtruan nevojën për organizim të këtij sporti. Kështu thuhet se Këshilli Iniciues për basketboll është formuar më 1948, kurse më 1949 është mbajtur Kuvendi Themelues i Lidhjes së Basketbollit të Kosovës, ku Kryetar u zgjodh Sahit Zatriqi dhe Sekretar Hazir Tufa.
Formimi i Federatës
Më 1991, formohet Federata e Basketbollit e Kosovës, e cila ndahet nga Federata e Basketbollit e Jugosllavisë. Kryetar i Parë i FBK-së u zgjodh Isuf Lumi, kurse Sekretar Fadil Dobroshi. Kampion i parë i Kosovës është Prishtina, kurse fitues i parë i Kupës së Kosovës është Vëllanzimi. Prishtinasit janë skuadra më e trofeshme në Kosovë.
Nga paslufta e deri në ditët e sotme FBK ka pasur katër (4) kryetarë të ndryshëm. Deri në vitin 2006 kryetar i FBK-së ishte Behlul Beqa, nga viti 2006 e deri më 2010 ky institucion ishte nën udhëheqjen e Erolld Belegut, kurse Belegun e pasoi Fatmir Gashi. Më pas Belegu sërish u bë kryetar, derisa nga viti 2018, Federata udhëhiqet nga Arben Fetahu.
Pranimi në FIBA
Kosova bëri shumë përpjekje për tu pranuar në FIBA, megjithatë, drita e gjelbër, arriti vetëm në mars të vitit 2015. Rruga ishte e gjatë dhe shumë e mundimshme, por Kosova arriti qëllimin e saj, duke u bërë anëtarja e 215-të e FIBA-s. Po në maj të vitit 2015, FBK-ja u bë anëtare e FIBA Evropës. Në Asamblenë e mbajtur në Maltë, Kosova u bë anëtarja e 52-të, derisa në këtë asamble morën pjesë kryetari Erolld Belegu dhe anëtari Bordit, Arben Fetahu.
Tashmë Kosova garon në të gjitha grupmoshat në garat ndërkombëtare, ashtu si edhe me skuadra.