22/08/2021

Si filloi basketbolli në Shqipëri

Liga Unike pritet të jetë mjaft interesante në edicionin e ri, që fillon në muajin tetor.

Skuadrat më të mira nga Shqipëria dhe Kosova do të garojnë për trofeun e më të mirit.

Por, si filloi basketbolli në Shqipëri?

Federata Shqiptare e Basketbollit ose FSHB është struktura më e lartë e organizimit të klubeve të basketbollit në Shqipëri. Selia e federatës ndodhet në Tiranë. President i federatës është Avni Ponari. FSHB-ja është organizuesi i Kombëtares shqiptare e basketbollit.

Federata ka 37 klube të regjistruara, 591 lojtarë femra dhe 803 lojtarë meshkuj.

Historia

Deri nga fundi i vitit 1945, në Shqipëri nuk kishte struktura apo persona të ngarkuar për t’u marrë drejtpërdrejt me problemet e basketbollit. Kjo gjë u bë e mundur vetëm kur u krijua Federata Sportive Shqiptare në shtator të vitit 1945, kur pranë saj u krijuan Komisione Teknike, që merreshin me hartimin e kalendarit sportiv dhe organizimin e veprimtarive kombëtare. Ato ishin të organizuara në tri seksione. Njëri prej tyre ishte edhe ai i Lojërave Sportive, në të cilin bënte pjesë edhe Inspektori i Sportive me Dorë, që mbulonte, veç të tjerash, edhe basketbollin. Me këtë organizim të punës u bë e mundur që të kishte një strukturë dhe një person të ngarkuar drejtpërdrejt me problemet e basketbollit. Në këtë mënyrë u plotësuan kushtet për krijimin në vitin 1946 të Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB).

Shqipëria kishte një institucion të specializuar që ndiqte dhe drejtonte zhvillimin e basketbollit shqiptar brenda vendit, por edhe përfaqësonte formalisht vendin në marrëdhënie me jashtë për basketbollin, por lidhjet me jashtë mbaheshin ende nëpërmjet Federatës së Sporteve Shqiptare, e cila mbante lidhjet me federatat ndërkombëtare. Federata Shqiptare e Basketbollit në atë kohë nuk funksiononte si një federatë e mirëfilltë, pasi i mungonin organet që ka një federatë e tillë dhe nuk kishte kompetencat që ka tani. Në vitin 1947, pra vetëm një vit pas krijimit të saj, FSHB u bë anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA). Meriton të theksohet fakti, se ajo ishte një nga 48 federatat e para kombëtare të anëtarësuara në FIBA që nga themelimi i saj në vitin 1932, nga 211 të tilla që ajo ka tani, gjë që tregon se basketbolli në Shqipëri njihej dhe luhej shumë më parë se në shumë vende të tjera.

Kombëtarja shqiptare garon te meshkujt dhe femrat, e po ashtu edhe me të gjitha gjeneratat e reja.