Zyrtarët e lartë të Ligës Unike, Drejtori Ekzekutiv, Dren Zatriqi dhe anëtarja e Bordit, Elvira Dushku janë takuar me përfaqësuesit e klubeve të femrave në Kosovë, Penza, Bashkimi dhe Prishtina.
Qëllimi i takimeve ishte informimi për fillimin e edicionit të ri në Ligën Unike në konkurrencën e femrave.
Në këtë ligë do të marrin pjesë, tri skuadra nga Kosova dhe tri skuadra nga Shqipëria.
Zyrtarët e Ligës Unike i kanë informuar për rregulloren e garave dhe çështjet tjera me rëndësi për edicionin e ri, ndërsa përfaqësuesit e tri klubeve kanë shprehur interesim për pjesëmarrje, derisa afati i fundit për aplikim është deri të premten, më 3 Shtator.
Të tri skuadrat kosovare kanë bërë përforcime për edicionin e ri që pritet të jetë interesant, si në elitën e Kosovës, po ashtu edhe në Ligën Unike.
Penza, edicionin e kaluar ishte shpallur kampion, Kupën e kishte fituar Prishtina, kurse Superkupën, Bashkimi.