10/09/2021

Jetësimi i ëndrrës së shqiptarëve

Shumëkush e kishte ëndërruar e shumëkush nuk do të kishte besuar se do të jetësohet. Një ligë e basketbollit mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Kjo ëndërr u jetësua më 10 Shtator 2020 në kryeqytetin shqiptar, Tiranë. Një iniciativë e Presidentit të FSHB-së, Avni Ponari dhe Kryetarit të FBK-së, Arben Fetahu. Nisma mori përkrahjen nga dy vendet, derisa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh se kjo do t’i hapte rrugën edhe sporteve tjera.

Katër skuadrat më të mira të Kosovës dhe Shqipërisë do të garonin në Ligën e Përbashkët, me një logo të veçantë, mision mbarëkombëtar dhe dëshirë të përbashkët për të zhvilluar basketbollin në dy shtetet.

Për fatin e keq, Liga nuk u zhvillua sipas parashikimit për shkak të Covid-19, gjithsesi u zhvillua Final 8, në Rahovec dhe Durrës, ku në edicionin e parë triumfoi Golden Eagle Ylli.

Edicioni i dytë do të nisë me Superkupën Mbarëkombëtare dhe do të vazhdojë edhe me Ligën në konkurrencën e femrave. Shumë risi pritet në vitet në vazhdim.

Viti i parë ishte më i vështiri, por u tejkalua me sukses. Vullneti dhe dëshira është e madhe për sukses. Siç urohet për çdo ditëlindje “Edhe 100 vite të tjera”.