Klubi i Basketbollit Bashkimi në konkurrencën e femrave ka konfirmuar pjesëmarrjen në edicionin e ri të Ligës Unike.
Skuadra prizrenase bëhet e dyta që konfirmon pjesëmarrjen, pas Penzës nga Peja, ndërsa zyrtarët e Ligës Unike janë në bisedime edhe me klubin e Prishtinës.
Vashat prizrenase edicionin e kaluar fituan Kupën e Kosovës, ndërsa ishin edhe në finale të “Play-offit”, duke pësuar nga Penza në serinë finale 3:2.
Liga Unike në edicionin e ri do të fillojë edhe me Ligën e Femrave, ku do të marrin pjesë tri skuadra nga Kosova dhe tri nga Shqipëria. Liga e Femrave do të fillojë më 20/21 Tetor, me dhjetë xhiro të rregullta e më pas faza e “Play-offit”.
Para fillimit të Ligës Unike do të organizohet Superkupa Mbarëkombëtare në të dyja konkurrencat.