Drejtori i Ligës Unike, Dren Zatriqi së bashku me Sekretaren e Përgjithshme të Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, kanë pasur takim të frytshëm me klubet shqiptare për fillimin e edicionit të ri në Ligën Unike.
Nga klubet shqiptare në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Teutës, Tiranës, Vllaznisë dhe Kamzës te meshkujt dhe Flamurtarit, Partizanit dhe Tiranës te femrat.
Siç dihet në edicionin e ri të Ligës Unike do të fillohet edhe me konkurrencën e femrave, ku do të marrin pjesë tri klube nga Kosova dhe tri nga Shqipëria.
Klubet janë njoftuar me projektin e Ligës Unike, qëllimin dhe synimet për të ardhmen dhe ka pasur gatishmëri për bashkëpunim nga të dyja palët.
Në fundjavë zyrtarët e Ligës Unike do të inspektojnë palestrat e klubeve shqiptare që pritet të marrin pjesë në edicionin e ri, dhe më pas ky proces javën e ardhshme do të zhvendoset në Kosovë.
Gjatë takimit është vendosur që shorti për edicionin e ri të mbahet më 2 Tetor, ditën kur do të mbahet edhe Klinika me Gjyqtarë.
Po ashtu sot Bordi i Ligës Unike do të mbajë mbledhje nga ora 18:00, ku do të vendoset se kush do të jetë Komisari i Garave në Ligën Unike dhe do të trajtohen tema me rëndësi për Ligën Unike.