24/09/2021

Bashkim Milo, Komesar i Garave në Ligën Unike

Bordi i Ligës Unike ka marrë vendim që Bashkim Milo të jetë Komesar i Garave në Ligën Unike.

Milo ka një karrierë të pasur sportive në basketbollin shqiptar dhe është shprehur i lumtur që do të punojë në Ligën Unike, që është krijuar nga Federata e Basketbollit të Kosovës dhe Shqipërisë, duke grumbulluar klubet më të mira nga të dyja shtetet.

Bashkimi ka punuar Drejtor i Përgjithshëm i Sporteve, në Ministrinë e Arsimit, Kulturës, Rinisë e Sporteve në Shqipëri, Drejtor në Qendrën Kërkimore Shkencore të Sportit, Sekretar në Federatën Shqiptare të Basketbollit, Trajner me ekipet kombëtare në Qendrën Metodike të ekipeve kombëtare pranë Komitetit Shtetëror të Sporteve, Shef sektori i basketbollit në Universitetin e Sporteve dhe së fundi Shef Departamenti.

- është dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i madh”

- është dekoruar “Për merita të shquara në fushën e Sportit” me medaljen e “Artë”.

- Ka titullin akademik “Profesor Doktor”

  1. Bashkim Milo ka një karrierë të pasur sportive në fushën e basketbollit dhe të Edukimit Fizik. Ai është një nga figurat e shquara të kësaj fushe.

Për vite me radhë ka drejtuar skuadrat “Dinamo”, ato kombëtare të meshkujve për të gjitha kategoritë, si edhe ekipin kombëtar senior të basketbollit. Ai ka një karrierë të suksesshme në takime ndërkombëtare. Është fitues i vendit të parë në Lojërat Mesdhetare në Latakia-Siri “Medalje Ari”, fitues i medaljeve të Argjendta në Maltë, disa herë Kampion i vendit dhe fitues i Kupës së Shqipërisë.

Emrin e mirë të tij ai e ka krijuar me punë. Ai është një Pedagog i shkëlqyer dhe një trajner i zoti dhe i sakrificës.

Bashkimi ka qenë për shume vite anëtar i Këshillit të Lartë të Sportit, Sekretar i Komisionit të anti-doping, Kryetar i Këshillit të Profesorëve në Universitetin e Sporteve, anëtar i Komisionit Teknik të Komitetit Olimpik Shqiptar, aktualisht anëtar i kryesisë së Federatës së Basketbollit.

Ka përfaqësuar Drejtorinë e Sporteve në Ministri në mbledhjet e Këshillit të Evropës për problemet e Sportit, pjesëmarrës në Kongrese të basketbollit, takime e në shumë klinika kombëtare e ndërkombëtare.

Ka marrë pjesë në grupet e punës për hartimin e shumë projekteve kombëtare, për Ligjin e Sportit,  projekte kombëtare për strategjinë dhe zhvillimin e sportit mbi gjendjen e sportistëve elitarë të vendit që ndihmohen financiarisht nga shteti, mbi zhvillimin e sportit për të gjithë dhe bashkëjetesën në komunitet, për kualifikimin e kuadrit mësues-trajner etj.

Është autor i programeve dhe buletineve në ndihmë të trajnerëve të basketbollit dhe mësuesve të edukimit fizik. Për shumë vite me radhë ka punuar si koordinator për sportin e basketbollit në fondacionin “SOROS”, ku u përfshi pjesa më e madhe e rinisë në të gjithë territorin e vendit.