26/09/2021

Zyrtarët e Ligës Unike inspektojnë palestrat në Shqipëri

Zyrtarët e lartë të Ligës Unike gjatë fundjavës kanë inspektuar palestrat në Shqipëri. Drejtori i Ligës Unike, Dren Zatriqi, së bashku me Komesarin e Garave, Bashkim Milo, të shoqëruar nga Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku dhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Lazani gjatë fundjavës kanë vizituar palestrat, ku luajnë klubet shqiptare, që do të jenë pjesëmarrëse në edicionin e ri të Ligës Unike.

Risi në këtë edicion do të jenë edhe garat në konkurrencën e femrave.

Ata kanë vizituar palestrën në Shkodër “Qazim Dervishi”, pastaj palestrat në Durrës “Dhimitraq Goga” dhe “Ramazan Njala”, si dhe Pallatin “Asllan Rusi” në Tiranë. Në këto palestra garojnë Vllaznia e Shkodrës, Teuta e Durrësit, Kamza, si dhe Flamurtari e Partizani në konkurrencën e femrave.

Sot, zyrtarët e Ligës Unike gjithashtu do të vizitojnë edhe Vlorën, ku garon Flamurtari në konkurrencën e femrave.

Ata kanë parë nga afër palestrat se, ku do të luajnë klubet e Ligës Unike, si dhe kushtet që ofrojnë këto palestra dhe çka kanë nevojë.

Liga Unike po pritet me interesim të madh në këtë edicion, ku do të garojnë katër klubet më të mira nga Kosova dhe katër më të mirat nga Shqipëria te meshkujt, dhe tri klubet më të mira të Kosovës dhe tri më të mirat nga Shqipëria te femrat, kurse detajet e fillimit të edicionit të ri të Ligës Unike do të publikohen shumë shpejt.