Gjatë fundjavës, zyrtarët e Ligës Unike kanë inspektuar palestrat në Shqipëri, ku do të garojnë klubet shqiptare, që do të jenë pjesëmarrëse në edicionin e ri.
Drejtori i Ligës Unike, Dren Zatriqi, së bashku me Komesarin e Garave të Ligës Unike, Bashkim Milo, Sekretaren e Përgjithshme të Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushkun dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, kanë parë nga afër gjendjen e palestrave.
Ata kanë vizituar palestrën në Shkodër “Qazim Dervishi”, pastaj palestrat në Durrës “Dhimitraq Goga” dhe “Ramazan Njala”, Pallatin “Asllan Rusi” në Tiranë, si dhe Palestrën në Vlorë. Në këto palestra garojnë Vllaznia e Shkodrës, Teuta e Durrësit, Kamza, Tirana te meshkujt, si dhe Tirana, Flamurtari e Partizani në konkurrencën e femrave.
“Për dy ditë kemi vizituar palestrat ku do të garojnë klubet shqiptare në Ligën Unike. Palestrat janë pranuar. Jemi pritur shumë mirë nga klubet, që janë shprehura të gatshme për edicionin e ri. Kemi parë një vullnet dhe motiv të madh për të filluar garat”, është shprehur Zatriqi për faqen zyrtare të Ligës Unike.
Në edicionin e kaluar u garua në formë të Final 8 për shkak të pandemisë, megjithatë, ky edicion pritet të jetë shumë interesant. “Kemi pasur konfirmimet nga klubet e Kosovës, kurse tashmë kemi marrë konfirmimet edhe nga klubet e Shqipërisë. Po presim të zhvillohet një edicion mjaft interesant. Kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe po e presim fillimin e garave. Risi në këtë edicion do të jetë edhe Liga Unike te femrat”, nënvizoi tutje Zatriqi.
Ai shtoi se shumë shpejt do të vendoset se ku dhe kur do të mbahet Superkupa Mbarëkombëtare në të dyja konkurrencat.
Sa i përket shortit do të hidhet një javë para fillimit të garave, që pritet të ndodhë në fund të tetorit. Ndërkohë, më 1 Tetor do të zhvillohet Klinika për Gjyqtarë.