Edicioni i ri në Ligën Unike pritet të jetë mjaft interesant. Tashmë janë konfirmuar të gjitha skuadrat për edicionin e ri.
Për edicionin 2021-2022 në konkurrencën e meshkujve kanë konfirmuar pjesëmarrjen: Golden Eagle Ylli, Prizreni 16, Rahoveci dhe Peja nga Kosova dhe Vllaznia, Kamza, Tirana Neptun dhe Teuta nga Shqipëria.
Fillimisht do të mbahet Superkupa Mbarëkombëtare në të dyja konkurrencat, e më pas edicioni i ri, që pritet të fillojë në fund të muajit Tetor.
Në edicionin e kaluar kampion ishte shpallur Golden Eagle Ylli. Turneu ishte zhvilluar në formë të Final 8, për shkak të pandemisë me Covid 19.
Megjithatë, në këtë edicion tetë skuadrat më të mira nga Kosova dhe Shqipëria do të garojnë për tu shpallur kampion.
Në konkurrencën e meshkujve Liga Unike do të zhvillohet me sistem të dyfishtë vajtje-ardhje në edicionin 2021-2022. Pas përfundimit të 14 xhirove të rregullta në konkurrencën e meshkujve, vendet 1-2 kualifikohen direkt për Final 4, ndërsa vendet 3-6 dhe 4-5 luftojnë për vendin e tyre në Final 4 përmes dy ndeshjeve kualifikuese vajtje-ardhje, në të cilat takohen ekipet 3-6 dhe 4-5. Skuadra e cila nxjerrë rezultat më të mirë nga dy ndeshjet e zhvilluara (pikët e shënuara në total nga dy ndeshjet) do të jetë gjysmëfinaliste. Ekipet më mirë të renditura luajnë si vendas në ndeshjen e kthimit.