Prizreni 16 ka shënuar fitore në udhëtim ndaj Tirana Neptun 81:93 (19:20, 21:27, 23:17, 18:29), në xhiron e dytë të Ligës Unike.
Mysafirët e nisën ndeshjen mirë me një epërsi 0:7, dhe më pas kishin epërsi të lehtë në çerekun e parë, që u ngushtua në fund minimalisht 19:20. Prizrenasit ishin më të mirë në periudhën e dytë, duke pasur epërsi konstante, ku më e larta ishte shtatë pikë, aq sa përfundoi pjesa e parë 40:47.
Vendasit përgjigjën në periudhën e tretë, ku barazuan shifrat në 49:49, e më pas zhvillohet lojë tërësisht e barabartë, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 63:64. Në 10 minutat e fundit, prizrenasit treguan fuqinë dhe ishin më të vëmendshëm, sidomos në momentet vendimtare, duke triumfuar me rezultat 81:93. Te Tirana Neptun u dalluan Julian Hamati me 19 pikë e 13 kërcime dhe Endrit Hysenagolli me 18 pikë e 17 kërcime, kurse te Prizreni 16 më i miri në parket ishte Courtney Fells me 31 pikë e 11 kërcime.
Të dy skuadrat kanë nga një fitore dhe një humbje.