Peja ka shënuar fitore ndaj Kamza Basket me rezultat 97:76 (29:21, 18:14, 19:22, 31:19), në xhiron e tretë të Ligës Unike.
Vendasit e nisën ndeshjen më mirë, duke pasur deri nëntë pikë epërsi në çerekun e parë, 18:9, e më pas kontrolluan këtë pjesë, duke e fituar me rezultat 29:21. Pejanët vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, ku ngritën epërsinë deri në 16 pikë, 37:21 dhe ishin vazhdimisht në epërsi, kurse në pushim shkuan me rezultat 47:35.
Lojë interesante u zhvillua në periodën e tretë, ku Kamza u rikthye dhe dalëngadalë afroi shifrat në 62:57, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 66:57. Verdhezinjtë menaxhuan epërsinë në 10 minutat e fundit, duke mos e rrezikuar fitoren dhe duke ngritur epërsinë, derisa në fund triumfuan me rezultat 97:76.
Te Peja u dalluan Dardan Berisha me 28 pikë, shtatë kërcime dhe tetë asistime, Ilder Erdem me 17 pikë, pesë kërcime dhe dhjetë asistime, si dhe Daniel Lekndreaj me dhjetë pikë e 12 kërcime, kurse te Kamza basket u dallua Gerad Davis me 21 pikë, nëntë kërcime dhe shtatë asistime.
Tashmë të dy skuadrat kanë nga dy fitore dhe një humbje.