08/11/2021

Dardan Berisha, MVP i xhiros së tretë në Ligën Unike

Xhiroja e tretë në Ligën Unike ka dhuruar disa ndeshje interesante.

Peja shënoi fitore të merituar ndaj Kamza Basket 97:76, ku u dallua kapiteni Dardan Berisha me 28 pikë, shtatë kërcime, tetë asistime dhe pesë topa të vjedhur. Berisha shpallet MVP i javës në Ligën Unike, që është hera e parë për të, kurse shumë herë është zgjedhur MVP i Superligës së Kosovës në basketboll.  

Basketbollisti i Vllaznisë së Shkodrës, Jonathan Stove, ndaj Tirana Neptunit realizoi 26 pikë e tetë kërcime, si dhe kishte një top të vjedhur, duke pasur indeksin, 33. Shkodranët fituan 87:68, që njëkohësisht ishte fitorja e parë në këtë edicion të Ligës Unike.

Prizreni 16 mundi Rahovecin 95:89, ku u dalluan Urim Zenelaj me 13 pikë, 17 kërcime, katër asistime dhe katër bllokada, ndërsa u ndihmua nga organizatori Ivan Koljeviq me 27 pikë, katër kërcime, nëntë asistime dhe një bllokadë.

Teuta ka shënuar fitoren e dytë në këtë edicion, duke mundur Golden Eagle Yllin 78:72, ku u dallua Tyler Peterson me 14 pikë, katër kërcime, pesë asistime dhe një bllokadë.

Top 5: Jonathan Stove i Vllaznisë së Shkodrës, Urim Zenelaj dhe Ivan Koljeviq të Prizrenit 16, Dardan Berisha i Pejës dhe Tyler Peterson i Teutës së Durrësit.