24/11/2021

Prishtina e nis me fitore bindëse

Prishtina e ka filluar me fitore bindëse edicionin e ri të Ligës Unike, që njëkohësisht ishte ndeshja e parë në Ligën Unike të femrave.

Skuadra prishtinase mundi Tiranën në udhëtim me rezultat 57:97 (20:30, 8:21, 16:24, 13:22).

Vashat mysafire e nisën ndeshjen më mirë, ku në çerekun e parë kishin deri në 12 pikë epërsi 15:27, ndërsa kjo pjesë përfundoi me shifrat 20:30. Skuadra prishtinase vazhdoi me lojë të mirë, duke e thelluar edhe më tutje epërsinë, ku më e larta 24:47, ndërsa pjesa e parë përfundoi me shifrat 28:51.

Kryeqytetaset nga Kosova nuk u ndalën as në periudhën e tretë, për të thelluar edhe më shumë epërsinë. Ato ishin të mrekullueshme në sulm, ndërsa aplikuan mbrojtje të fortë, ku epërsinë më të lartë e kishte 44:75. 10 minutat e fundit ishin vetëm formale, me fituesin që ishte përcaktuar dhe Prishtina fitoi me 40 pikë dallim, 57:97.

Te Prishtina më e dalluara ishte Sarah Mgbeike me 21 pikë e 20 kërcime dhe Arbnore Përquku me 17 pikë, tetë kërcime dhe shtatë asistime.