Peja ka shënuar fitore ndaj Rahovecit me rezultat 122:88 (39:20, 19:19, 30:29, 34:20), në kuadër të xhiros së shtatë të Ligës Unike.
Vetëm fillimi ishte i barabartë deri te rezultati 10:10 dhe më pas vendasit hyn në një seri prej 13:3, për epërsinë 23:13, e më pas thellojnë epërsinë edhe më shumë 36:18, ndërsa çereku i parë përfundon 39:20. Periudha e dytë ishte e barabartë, por më shumë e kontrolluar nga verdhezinjtë, që ruajtën epërsinë e krijuar në dhjetë minutat e para, duke shkuar në pushim me shifrat 58:39.
Edhe perioda e tretë ishte e ngjashme me atë të dytë, me përpjekjet e mysafirëve për tu rikthyer, por pejanët e menaxhuan lojën mirë, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 88:68. Në dhjetë minutat e fundit, Peja vetëm sa thelloi epërsinë edhe më shumë, për të triumfuar me rezultat bindës 122:88. Një fitore shumë e rëndësishme, duke marrë parasysh që rezultati vlen edhe në Art Motion Superligën e Kosovës në basketboll.
Te Peja u dalluan Tyrone White me 44 pikë, katër kërcime e shtatë asistime dhe Stephen Maxwell me 35 pikë e 11 kërcime, kurse te Rahoveci u dallua Cavon Baker me 24 pikë, nëntë kërcime dhe pesë asistime.
Peja e përfundon stinorin vjeshtor në Ligën Unike me pesë fitore dhe dy humbje, kurse Rahoveci me dy fitore dhe pesë humbje.