Në një ndeshje shumë interesante, Tirana Neptun ka shënuar fitore ndaj Kamza Basket në udhëtim 102:104 (24:25, 27:27, 31:19, 20:33), në xhiron e shtatë të Ligës Unike.
Fillimi i ndeshjes ishte shumë interesant dhe u karakterizua me barazime në rezultat, ku herë njëra skuadër dhe herë tjetra kalonte në epërsi, ndërsa çereku i parë përfundon 24:25. Edhe periudha e dytë ishte e ngjashme me atë të parin, ku zhvillohej një lojë shumë e bukur, por edhe rivalizuese në parket, ndërsa asnjëra nga skuadrat nuk arrinte të shkëputej në epërsi, kurse pjesa e parë përfundon e parë me shifrat 51:52, që tregon për lojën e barabartë që u zhvillua në 20 minutat e parë.
Por, në periodën e tretë, vendasit ishin më të mirë dhe me kalimin e minutave rritën epërsinë ndaj skuadrës tiranase, ku më e larta ishte 82:71, sa ishte rezultati në semafor pas 30 minutash. Por, mysafirët nuk u dorëzuan dhe shkrinë epërsinë, madje kaluan në epërsi 89:90, pesë minuta nga fundi, që ishte shumë interesant dhe dramatik, ndërsa përfundoi me fitoren e Tiranës 102:104.
Te Kamza Basket u dalluan Niko Thano me 29 pikë e nëntë kërcime, Matthew Eldrige me 25 pikë e tetë kërcime, ndërsa nga 22 shtuan Reece Brooks dhe Abrian Edwards, kurse te Tirana Neptun u dallua Julian Hamati me 35 pikë, nëntë kërcime dhe gjashtë asistime.
Kamza Basket e përfundon stinorin vjeshtor me dy fitore dhe pesë humbje, ndërsa Tirana Neptun me katër fitore dhe tri humbje.