Partizani ka shënuar fitore në derbin e qytetit ndaj Tiranës me rezultat 91:66 (21:11, 18:18, 22:25, 30:12), në xhiron e pestë të Ligës Unike në konkurrencën e femrave, që është e fundit për stinorin vjeshtor. Për Partizanin kjo ishte fitorja e parë pas katër humbjeve, kurse Tirana mbetet pa fitore dhe me pesë humbje.
Fillimi i ndeshjes ishte i barabartë, deri tek rezultati 11:11, kur vashat vendase hyjnë në një seri prej 10:0, duke fituar çerekun e parë 21:11. Vashat e Partizanit vazhduan me lojë të mirë, për të thelluar epërsinë në 22 pikë, 37:15, por më pas rikthehen basketbollistet e Tiranës, që ngushtuan shifrat në 39:29, sa përfundoi pjesa e parë.
Perioda e tretë ishte shumë interesante, ku Partizani ishte në epërsi, ndërsa Tirana afroi shifrat në 61:54, sa ishte rezultati në semafor pas 30 minutash lojë. Por, në dhjetë minutat e fundit, Partizani ishte më i mirë dhe thelloi epërsinë për të triumfuar me rezultat 91:66.
Ndeshje të jashtëzakonshme ka bërë Aida Palko me 40 pikë, 22 kërcime dhe shtatë asistime, kurse te Tirana u dallua Anisa Qosja me 28 pikë, tri kërcime dhe tri asistime.