26/01/2022

Përballje interesante, Prizreni 16 mund Tirana Neptun

Në një ndeshje interesante, Prizreni 16 ka shënuar fitore ndaj Tirana Neptun me rezultat 107:89 (22:27, 27:25, 25:17, 33:20), në xhiron e nëntë të Ligës Unike.

Ndeshjen më mirë e nisën mysafirët që krijuan epërsi deri në shtatë pikë, 10:17, por vendasit kundërpërgjigjen shpejt për të barazuar rezultatin në 19:19, megjithatë, çerekun e parë e fituan tiranasit 22:27. Kryeqytetasit vazhduan me lojë në periudhën e dytë për të krijuar epërsi deri në 13 pikë, 28:41, por prizrenasit rikthehen shpejt për të afruar rezultatin në 47:48, ndërsa pjesa e parë përfundon 49:52.

Perioda e tretë ishte shumë interesante. Mysafirët sërish arritën epërsi deri në nëntë pikë, 51:60, e më pas vendasit kundërpërgjigjen duke barazuar rezultatin dhe kaluan në epërsi deri në pesë pikë 74:69, sa ishte rezultati pas 30 minutash. Çereku i fundit ishte interesante deri katër minuta nga fundi, kur prizrenasit filluan shkëputjen dhe nuk u ndalën për të triumfuar me rezultat 107:89.

Te Prizreni 16 u dallua Courtney Fells me 33 pikë, nëntë kërcime e pesë asistime, kurse te Tirana Neptun u dalluan Endrit Hysenagolli me 34 pikë e 18 kërcime dhe Julian Hamati me 23 pikë, 12 kërcime dhe tetë asistime.

Prizreni 16 ka gjashtë fitore dhe tri humbje, kurse Tirana Neptun ka katër fitore e pesë humbje.