04/02/2022

Blerim Vuniqi, emërohet anëtar i Bordit Drejtues në Ligën Unike

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 3 Shkurt, ka emëruar Blerim Vuniqin si anëtar të Bordit Drejtues në Ligën Unike.

Në këtë Bord Drejtues, sipas marrëveshjes, dy anëtarë janë nga Kosova, Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku dhe tashmë Vuniqi, kurse më herët është larguar Shaqir Totaj, për shkak të angazhimeve politike.

Vuniqi është legjendë e basketbollit të Kosovës, duke dhënë kontribut të madh, para dhe pas luftës.

Ai ka qenë më herët anëtar i Bordit të FBK-së, ndërsa ka punuar si gazetar dhe redaktor i sportit, po ashtu duke dhënë kontributin e tij në basketbollin kosovar.

Vuniqi tashmë do të angazhohet në zhvillimin e Ligës, ku garojnë klubet më të mira nga Kosova dhe Shqipëria, në të dyja konkurrencat.