23/02/2022

Bashkimi triumfon ndaj Prishtinës

Bashkimi ka shënuar fitore ndaj Prishtinës në udhëtim 65:87 (14:29, 14:16, 18:21, 19:21), në xhiron e tetë të Ligës Unike në konkurrencën e femrave.

Fillimi i ndeshjes ishte i baraspeshuar, deri te rezultati 12:12, e më pas mysafiret ishin shumë më të mira në çerekun e parë, duke e fituar me shifrat 14:29, që ishte një avantazh i madh në vazhdim të ndeshjes. Epërsia e vashave prizrenase u rrit edhe më shumë në periodën e dytë, që shkoi deri në 20 pikë, 19:39, e më pas vendaset ngushtuan shifrat, megjithatë, loja më mirë u menaxhua nga mysafiret, që shkuan në pushim me shifrat 28:45.

Skuadra prizrenase e filloi më mirë pjesën e dytë, duke e ngritur epërsinë në 28 pikë, 32:60, që ishte një përparësi e madhe, kurse kryeqytetaset e Kosovës arritën vetëm të ngushtojnë shifrat në 46:66, sa ishte rezultati pas 30 minutash. Në dhjetë minutat e fundit, prishtinaset u munduan të ngushtojnë rezultatin, por nuk ia arritën qëllimit dhe Bashkimi triumfoi me rezultat 65:87.

Te Prishtina u dalluan Sarah Mgbeike me 12 pikë e 14 kërcime, Arbnore Përquku dhe Marigona Rushiti me 13 pikë, kurse te Bashkimi u dalluan D’asia Chambers me 28 pikë, 10 kërcime, shtatë asistime dhe Monique Coker me 21 pikë dhe 16 kërcime.

Prishtina ka katër fitore e tri humbje, kurse Bashkimi pesë fitore e tri humbje.