Flamurtari ka shënuar fitore ndaj Tiranës në udhëtim me rezultat 63:104 (21:22, 11:29, 14:27, 17:26) në xhiron e tetë të Ligës Unike në konkurrencën e femrave.
Fillimi i ndeshjes ishte interesant, ku mysafiret kishin epërsi të lehtë, megjithatë, vendaset nuk u dorëzuan dhe disa herë barazuan rezultatin gjatë çerekut të parë që përfundoi 21:22. Skuadra vlonjate ishte më e mirë në periudhën e dytë, duke ngritur epërsinë në 12 pikë, 25:37, epërsi që më vonë u ngrit në 19 pikë, 32:51, sa përfundoi pjesa e parë.
Vlonjatet vazhduan me lojë të mirë në periudhën e tretë, ku arritën epërsi të dyfishtë, 34:68, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 46:78. Edhe në dhjetë minutat e fundit mysafiret ishin më të mira, duke triumfuar në fund me rezultat 63:104.
Te Tirana u dallua Enisa Qosja me 23 pikë e katër kërcime, kurse te Flamurtari u dalluan Samra Omberbasic me 40 pikë e 17 kërcime dhe Laura Johnson me 34 pikë e 14 kërcime.
Tirana pësoi humbjen e shtatë në shtatë ndeshje, ndërsa Flamurtari regjistroi fitoren e gjashtë, ndërsa ka edhe një humbje.