24/02/2022

Përballje dramatike, Partizani mund Penzën

Partizani ka shënuar fitore ndaj Penzës me rezultat 94:91 (32:16, 21:29, 18:28, 23:18), në xhiron e tetë të Ligës Unike.
 
Vendaset e nisën ndeshjen më mirë, duke pasur epërsi prej dhjetë pikësh, 22:12, e më pas krijuan epërsi të dyfishtë, 32:16, rezultat me të cilin përfundoi çereku i parë. Por, kampionet e Kosovës nuk u dorëzuan dhe dalëngadalë ngushtuan shifrat, duke e bërë sfidën shumë interesante, ndërsa skuadrat shkuan në pushim me shifrat 53:45.
 
Vashat pejane vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e tretë, duke shkrirë epërsinë, madje e kthyen atë në favor të tyre, 62:63, e më pas u zhvillua lojë shumë interesante, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 71:73. Në dhjetë minutat e fundit u zhvillua përballje interesante, ku vashat pejane ishin në epërsi deri në dhjetë pikë, 79:89, por një seri e jashtëzakonshme e vendasve bëri që të barazohet rezultati në 91:91, në minutën e fundit, e më pas tri pikë radhazi nga gjuajtjet e lira bënë që të Partizani të triumfojë me rezultat 94:91.
 
Te Partizani u dalluan Dajana Baraj me 32 pikë e pesë asistime, Aida Palko me 21 pikë e gjashtë kërcime dhe Ornela Lalaj me 14 pikë e nëntë kërcime, kurse te Penza u dalluan Rael Whitsitt me 30 pikë e 27 kërcime, Valbona Bytyqi me 21 pikë e 12 kërcime dhe Narlyn Mosquera me 30 pikë e 11 kërcime.
 
Skuadra kryeqytetase e Shqipërisë ka dy fitore e gjashtë humbje, kurse pejanet kanë pesë fitore e dy humbje.