Prishtina ka shënuar fitore ndaj Partizanit në udhëtim me rezultat 77:94 (17:24, 17:28, 20:17, 23:25), në xhiron e nëntë të Ligës Unike në konkurrencën e femrave.
Prishtinaset e nisën ndeshjen më mirë, duke pasur epërsi konstante dhe e menaxhuan lojën më mirë në çerekun e parë, duke e fituar këtë pjesë 17:24. Epërsia e vashave prishtinase u rrit në 12 pikë, 17:29, e më pas zhvillohet lojë e barabartë deri në fund të pjesë së parë, ku mysafiret shkëputen dhe shkuan në pushim me shifrat 34:52.
Epërsia e skuadrës prishtinase u rrit në 20 pikë, 38:58, dhe loja u kontrollua nga mysafiret, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 54:69. Në dhjetë minutat e fundit prishtinaset menaxhuan mirë epërsinë dhe fituan në fund me rezultat 77:94.
Te Partizani u dalluan Aida Palko me 28 pikë e 15 kërcime dhe Ornela Lalaj me 21 pikë e 15 kërcime, kurse te Prishtina u dalluan Sarah Mgbeike me 32 pikë e 15 kërcime, Tynice Martin me 23 pikë, 12 kërcime dhe shtatë asistime dhe Agnesa Rrahmani me 20 pikë.
Partizani ka dy fitore e shtatë humbje, kurse Prishtina ka pesë fitore e tri humbje.