Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore ndaj Rahovecit me rezultat 91:80 (24:18, 20:23, 23:14, 24:25), në xhiron e 11-të të Ligës Unike, takim që ishte i vlefshëm edhe për Art Motion Superligën e Kosovës në basketboll.
Çereku i parë ishte i baraspeshuar, ku asnjëra skuadër nuk arrinte shkëputjen në rezultat, megjithatë, në fund të kësaj pjese, vendasit ishin më të mirë, duke e fituar 24:18. Vendasit rritën epërsinë në nëntë pikë, 32:23, ndërsa nuk vonoi shumë dhe mysafirët e afruan atë në 34:31, e më pas u barazuan shifrat në 39:39, ndërsa pjesa e parë përfundoi me rezultat 44:41.
Pjesa e dytë filloi e barabartë, por më pas therandasit nuk u ndalën duke ngritur epërsinë në 14 pikë, 67:53, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 67:55. Kampionët e Ligës Unike nuk u ndalën as në dhjetë minutat e fundit, duke arritur epërsinë më të lartë të ndeshjes në 22 pikë, 87:65, ndërsa vreshtarët nuk arritën më shumë se të zvogëlojnë shifrat, ndërsa Ylli triumfoi me rezultat 91:80.
Te Golden Eagle Ylli u dalluan Erjon Kastrati me 28 pikë, pesë kërcime e shtatë asistime, Henrik Sirko me 19 pikë, tetë kërcime e gjashtë asistime dhe Gëzim Morina me 13 pikë e tetë kërcime, kurse te Rahoveci u dalluan Tj Dunans me 21 pikë e tetë kërcime, Ivan Koljeviq me 19 pikë e tetë kërcime, Fisnik Rugova me 17 pikë dhe Musab Mala me 16.
Golden Eagle Ylli ka nëntë fitore e një humbje, kurse Rahoveci ka katër fitore e shtatë humbje.