Xhiroja e 11-të në Ligën Unike që u zhvillua në mesjavë ka dhuruar ndeshje interesante.
Golden Eagle Ylli ka fituar ndaj rivalit Rahovecit me rezultat 91:80. Basketbollisti më i dalluar ishte Erjon Kastrati me 28 pikë, pesë kërcime e shtatë asistime, duke e pasur indeksin 40, apo më të lartin e kësaj xhiro. Kjo nuk është hera e parë që basketbollisti i Kosovës shpallet MVP në Ligën Unike, duke qenë ndër lojtarët kryesor te kampioni i Ligës Unike dhe Kosovës. Ai u ndihmua nga Henrik Sirko me 19 pikë, tetë kërcime dhe gjashtë asistime.
Peja shënoi fitore ndaj Tiranës me rezultat 89:78, ku u dallua kapiteni Dardan Berisha me 30 pikë, katër kërcime e pesë asistime. Kapiteni shënoi shtatë tre pikësh nga dhjetë tentime.
Prizreni 16 regjistroi fitore të pritur ndaj Vllaznisë së Shkodrës me rezultat 62:94, ndërsa lojtari më i mirë te prizrenasit ishte Darell Davis me 22 pikë, nëntë kërcime dhe katër asistime. Kjo ishte ndeshja e parë për Davis si lojtar i Prizrenit, ndërsa më parë ka luajtur për Rahovecin.
Teuta ka mundur Kamza Basket me shifrat 86:65. Në skuadrën durrësake u dallua Tyler Peterson me 22 pikë, dy kërcime dhe tetë asistime.
Top 5
Erjon Kastrati (Golden Eagle Ylli) 28 pikë, 5 kërcime, 7 asistime
Dardan Berisha (Peja) 30 pikë, 4 kërcime, 5 asistime
Darell Davis (Prizreni 16) 22 pikë, 9 kërcime, 4 asistime
Tyler Peterson (Teuta) 22 pikë, 2 kërcime, 8 asistime
Henrik Sirko (Golden Eagle Ylli) 19 pikë, 8 kërcime, 6 asistime