10/03/2022

Sfida kryeqytetase i takon Prishtinës

Prishtina ka shënuar fitore ndaj Tiranës me rezultat 103:91 (33:20, 23:20, 27:27, 20:24), në ndeshjen e mbetur të xhiros së gjashtë të Ligës Unike.

Skuadra vendase e nisi shumë më mirë ndeshjen, me një seri prej 12:0, ndërsa më pas arritën epërsinë në 24:9, kurse çerekun e parë e fituan 33:20. Një seri prej 0:10 e mysafirëve në periudhën e dytë, bëri që rezultati të afrohet në vetëm tri pikë, 33:30, megjithatë, më pas shkëputen vendaset sërish, duke arritur deri në 16 pikë epërsi, 56:40, sa përfundoi pjesa e parë.

Prishtinaset vazhduan me lojë të mirë edhe në pjesën e dytë, përkatësisht periodën e tretë, duke e thelluar edhe më shumë epërsinë, që shkoi deri në 24 pikë, 71:47, kurse një këndellje e lehtë e mysafireve bëri që rezultati të afrohet sërish në 16 pikë, 83:67, sa ishte rezultati në semafor pas 30 minutash. Në dhjetë minutat e fundit, loja u kontrollua nga vashat prishtinase, ndërsa mysafiret nuk arritën rikthimin e madh dhe ndeshja përfundoi me shifrat 103:91.

Te Prishtina u dalluan Sarah Mgbeike me 31 pikë e 17 kërcime, Tynice Martin me 29 pikë e shtatë kërcime dhe Arbnore Përquku me 13 pikë e 15 kërcime, kurse te Tirana u dalluan Klea Verri me 29 pikë, shtatë kërcime, nëntë asistime, Mirela Lugaj me 21 pikë dhe Enisa Qosja me 22 pikë.

Prishtina ka gjashtë fitore e tri humbje, ndërsa Tirana ka nëntë humbje në nëntë ndeshje të zhvilluara.