Tirana ka shënuar fitoren e parë në Ligën Unike në konkurrencën e femrave, duke mundur rivalin lokal, Partizanin me shifrat 93:89 (19:16, 20:16, 31:35, 23:22), në xhiron e dhjetë apo të fundit për garat e rregullta.
Çereku i parë ishte i barabartë, ku asnjëra skuadër nuk arrinte shkëputjen e madhe, ku epërsia më e lartë ishte e Tiranës në fillim 6:1, derisa kjo pjesë përfundoi 19:16. Edhe fillimi i periudhës së dytë ishte i baraspeshuar, e më pas vashat tiranase krijuan epërsi deri në 12 pikë, kurse pjesa e parë përfundoi 39:32.
Në periodën e tretë skuadra e Partizanit rikthehet shpejt për të afruar shifrat në 45:44, e më pas duke barazuar shifrat në 63:63, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 70:67. Lojë shumë interesante u zhvillua në dhjetë minutat e fundit. 1:24 minuta para fundit të ndeshjes, Partizani ishte duke fituar 87:89, por në momentet vendimtare, vashat e Tiranës ishin më të mira duke triumfuar 93:89.
Te Tirana u dalluan Enisa Qosja me 35 pikë e shtatë kërcime dhe Klea Verri me 32 pikë e nëntë asistime, ndërsa te Partizani u dallua Aida Palko me 34 pikë e 11 kërcime.
Tirana i përfundon garat e rregullta me një fitore e nëntë humbje, kurse Partizani me dy fitore e tetë humbje.