Vllaznia e Shkodrës ka shënuar fitore në udhëtim ndaj Pejës, edhe pse ishte duke humbur në pjesën e parë me 11-të pikë dallim. Shkodranët triumfuan me rezultat 63:74 (25:15, 19:18, 7:12, 12:29), në xhiron e 13-të të Ligës Unike.
Pejanët e nisën ndeshjen shumë më mirë dhe gjatë çerekut të parë ishin në epërsi, ku më e larta ishte 23:9, ndërsa kjo pjesë përfundoi 25:15. Verdhezinjtë vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, duke ngritur edhe më shumë epërsinë, që shkoi deri në 18 pikë, por në fund të kësaj pjese, mysafirët ngushtojnë shifrat, duke bërë që pjesa e parë të përfundojë me rezultat 44:33.
Në periodën e tretë u zhvillua lojë me më shumë gabime dhe me pak sulme efikase, por shkodranët ishin më të mirë për të afruar rezultatin në 51:45, sa ishte pas 30 minutash. Mysafirët vazhduan me lojë më të mirë edhe në dhjetë minutat e fundit, ndërsa vendasit që kishin disa mungesa assesi nuk arrinin lojën e tyre, duke bërë që të humbasin me rezultat 63:74.
Te Peja u dallua Daniel Lekndreaj me 15 pikë e 11 kërcime, kurse te Vllaznia u dallua Andre Walker me 21 pikë.
Pejanët kanë nëntë fitore e katër humbje, kurse shkodranët tri fitore e dhjetë humbje.