22/03/2022

Super përballje në gjysmëfinale

Dita e shumëpritur po afrohet. Më 23 dhe 24 Mars priten ndeshje shumë interesante në Final 4 të Ligës Unike për femra.

Kjo është hera e parë që organizohet një ngjarje e tillë, sepse ky është edicioni i parë dhe historik i Ligës Unike te femrat, ndërsa do të organizohet në kryeqytetin e Kosovës.

Sfida e parë gjysmëfinale është mes Penzës, që përfundoi garat e rregullta në vendin e parë me tetë fitore e dy humbje, dhe Bashkimit, që përfundoi garat e rregullta në vendin e katërt me pesë fitore e pesë humbje. Penza është kampione e Kosovës dhe fituese e Superkupës Mbarëkombëtare, që u organizua në Vlorë, kurse Bashkimi, fitues i Kupës së Kosovës. Të dy skuadrat shpresojnë të fitojnë trofeun e çmuar.

Gjysmëfinalja e dytë pritet të jetë edhe më interesante, mes Prishtinës dhe Flamurtarit të Vlorës, që përfunduan garat e rregullta me nga shtatë fitore e tri humbje, ndërsa në sfidat direkte, kanë nga një fitore ndaj njëra-tjetrës. Prishtina si organizatore e turneut dhe me përkrahjen e publikut shpreson në kualifikohet në finale dhe të fitojë titullin, ndërsa me ambicie të mëdha udhëton edhe skuadra vlonjate.

Për adhuruesit e basketbollit hyrja është falas dhe pritet një festival i basketbollit për femra, me shumë ndeshje të bukura dhe atmosferë të zjarrtë në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Orari

23 Mars

16:00 Penza-Bashkimi

19:00 Prishtina-Flamurtari

24 Mars

16:00 Ndeshja për vendin e tretë

19:00 Finalja