25/03/2022

Mësohen çiftet çerekfinaliste të Ligës Unike

Në mesjavë është zhvilluar xhiroja e 14-të në Ligën Unike te meshkujt, që ishte e fundit për garat e rregullta, ku është mësuar renditja përfundimtare.

Kampioni Golden Eagle Ylli përfundoi garat e rregullta me 13 fitore dhe një humbje, ndërsa Peja ishte e dyta me nëntë fitore e pesë humbje. Këto dy skuadra janë kualifikuar direkt në gjysmëfinale.

Në vendin e tretë është Prizreni 16 me tetë fitore dhe gjashtë humbje, ndërsa Tirana, Teuta dhe Rahoveci kanë shtatë fitore e shtatë humbje, duke përfunduar në vendin e katërt, pestë dhe të gjashtë. Në dy pozitat e fundit përfunduan Vllaznia dhe Kamza.

Në çerekfinale të Ligës Unike do të përballen Prizreni 16 me Rahovecin dhe Tirana me Teutën.

Skuadra e cila nxjerrë rezultat më të mirë nga dy ndeshjet e zhvilluara do të jetë gjysmëfinaliste.

Ekipet më mirë të renditura luajnë si vendas në ndeshjen e kthimit.