06/04/2022

Prizreni 16 përballë Pejës në gjysmëfinale

Prizreni 16 ka pësuar humbje nga Rahoveci me rezultat 86:87 (27:26, 22:15, 13:21, 24:25), por fitorja në ndeshjen e parë 93:98, i ka mjaftuar për të depërtuar në gjysmëfinale, ku do të përballet me Pejën.

Takimi ishte shumë interesant, i luftuar nga të dy skuadrat për çdo top dhe i vendosur në çastet e fundit, duke e bërë njërën nga ndeshjen më interesante në këtë edicion të Ligës Unike.

Fillimi i ndeshjes ishte i barabartë, ku epërsinë më të lartë e kishin vendasit deri në gjashtë pikë, por që afrohej nga mysafirët, duke bërë që çereku i parë të përfundojë 27:26. Perioda e dytë ishte interesante ku herë njëra skuadër kalonte në epërsi e herë tjetra, ndërsa prizrenasit në fund arritën epërsi prej nëntë pikësh, 48:39, ndërsa pjesa e parë përfundoi 49:41.

Edhe periudha e tretë ishte shumë e ngjashme më të dytën, ku zhvillohej lojë e barabartë dhe e luftuar nga të dy skuadrat, duke bërë që asnjëra të shkëputej. Vreshtarët në fund të kësaj pjese kishin pesë pikë epërsi, 57:62, por pesë pikë radhazi nga Arti Hajdari, bën që rezultati në semafor pas 30 minutash të jetë 62:62. Në dhjetë minutat e fundit, prizrenasit u shkëputën në 78:70, por asgjë nuk kishte përfunduar, pasi rahovecasit rikthehen dhe kalojnë në epërsi 83:87, por nuk arritën të bëjnë më shumë dhe rezultati ishte 86:87, që i mjaftoi Prizrenit 16 të depërtojë në gjysmëfinale.

Te Prizreni 16 u dalluan Robert McCoy me 21 pikë e pesë kërcime, Xavier Cannefax me 21 e dhjetë asistime dhe Arti Hajdari me 24 pikë, kurse te Rahoveci u dalluan Fisnik Rugova me 24 pikë e katër kërcime dhe Tj Dunans me 19 pikë, nëntë kërcime dhe shtatë asistime.