20/04/2022

Super përballje, Peja në finale

Në një ndeshje shumë interesante, Peja ka mundur Prizrenin 16 me rezultat 98:94 (23:24, 23:23, 22:28, 30:19), duke u kualifikuar në finale të Ligës Unike, ku do të përballet me Golden Eagle Yllin.

Çereku i parë ishte tërësisht i barabartë, ku të dy skuadrat nuk arrinin të shkëputeshin, ndërsa epërsinë më të lartë e kishin prizrenasit, vetëm katër pikë, 20:24, ndërsa kjo pjesë përfundon 23:24. Edhe periudha e dytë ishte e ngjashme me atë të parën, ku luftohej për çdo top në parket, duke e bërë sfidën tepër interesante dhe luftuese, ndërsa herë njëra skuadër kalonte në epërsi e herë tjetra, kurse pjesa e parë përfundon 46:47.

Në periodën e tretë, basketbollistët prizrenasit ishin më të mirë, duke pasur epërsi disa herë deri në 11 pikë, megjithatë, pejanët në fund nuk dorëzohen, për të ngushtuar shifrat në 68:75, sa ishte rezultati në semafor pas 30 minutash. Në dhjetë minutat e fundit u zhvillua lojë interesante dhe dramatike, ku të dy skuadrat e deshën shumë fitoren, megjithatë, më të vëmendshëm ishin verdhezinjtë, që triumfuan në fund 98:94.

Te Peja u dalluan Courtney Fells me 31 pikë dhe Dardan Berisha me 24, ndërsa te Prizreni 16 u dalluan Darell Davis me 20 pikë e 14 kërcime, Xavier Cannefax me 20 pikë dhe Altin Morina me 17 pikë.

Ndeshjet transmetohen ekskluzivisht në Art Motion dhe Kujtesa.

Orari

E mërkurë

Golden Eagle Ylli-Teuta           84:82

Peja-Prizreni 16                         98:94

E enjte

17:00 Teuta-Prizreni 16

20:30 Golden Eagle Ylli-Peja