Liga Unike mbylli një edicion të suksesshëm. Prishtina triumfoi te femrat dhe Peja te meshkujt.
Ky ishte edicioni i parë i garave të rregullta, pasi ai i kaluari u zhvillua në formë të Final 8, për shkak të pandemisë me Covid 19, ku kishte fituar Golden Eagle Ylli.
Më pas ishte mbajtur Superkupa Mbarëkombëtare në Tetor të vitit të kaluar, ku fituan Penza e Pejës te femrat dhe Golden Eagle Ylli te meshkujt.
Te meshkujt në Ligën Unike, garuan katër klube nga Kosova dhe katër nga Shqipëria. Klubet nga Kosova ishin: Peja, Golden Eagle Ylli, Rahoveci dhe Prizreni 16, kurse nga Shqipëria: Teuta e Durrësit, Tirana Neptun, Kamza Basket dhe Vllaznia.
Pas një edicioni mjaft interesant në gjysmëfinale direkt u kualifikuan Ylli dhe Peja, nga vendi i parë, përkatësisht i dytë, kurse në çerekfinale u përballën Teuta-Tirana dhe Prizreni 16-Rahoveci. Durrësakët dhe prizrenasit ishin më të mirë nga dy përballjet, për tu kualifikuar në Final 4, që u organizua në Pejë.
Peja shënoi fitore ndaj Prizreni 16, kurse Ylli mundi Teutën. Prizreni 16 i takoi vendi i tretë, që fitoi duelin ndaj Teutës, që i takoi çmimi Fair Play.
Në finalen e madhe, Peja shënoi fitore kundër Golden Eagle Ylli 87:72, ndërsa Dardan Berisha fitoi çmimin e MVP. Kjo ishte hera e parë që pejanët fituan Ligën Unike, duke përmbyllur edicionin 2021-2022.
Te femrat garuan tri klubet më të mira nga Kosova dhe tri më të mirat nga Shqipëria. Njëkohësisht ky ishte edicioni i parë dhe historik te femrat. Nga Kosova garuan: Penza, Prishtina dhe Bashkimi, kurse nga Shqipëria: Tirana, Flamurtari dhe Partizani.
Pas dhjetë xhirove të rregullta, Penza u rendit e para me tetë fitore e dy humbje, kurse pas saj ishin Prishtina, Flamurtari dhe Bashkimi, që garuan në Final 4, i cili u organizua në kryeqytetin e Kosovës. Për dy ditë me radhë adhuruesit e basketbollit panë ndeshje të bukura te femrat. Penza mundi Bashkimin në gjysmëfinale dhe Prishtina eliminoi Flamurtarin. Skuadra prizrenase fitoi vendin e tretë, derisa ajo nga Vlora fitoi çmimin Fair Play.
Finalja ishte shumë interesante dhe dramatike mes Penzës dhe Prishtinës, që u fitua nga vashat prishtinase 65:66, ndërsa çmimin MVP e fitoi Stasha Carey e Prishtinës.