Liga Unike filloi edhe zyrtarisht. Flamurtari në ndeshjen e parë ka mundur Bashkimin e Prizrenit me shifrat 82:70 (18:15, 24:18, 15:16, 25:21).
Çereku i parë i ndeshjes ishte kryesisht i barabartë, ku për një nuancë vendaset ishin më të mira, duke e fituar këtë pjesë 18:15. Skuadra vlonjate vazhdoi me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, ku e thelloi epërsinë edhe më shumë, që shkoi në 12 pikë, 35:23, dhe gjatë gjithë kësaj pjese ishte në epërsi duke shkuar në pushim me shifrat 42:33.
Perioda e tretë ishte e baraspeshuar, me vendaset që ruajtën epërsinë dhe mysafiret që tentonin të afronin shifrat, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 57:49. Në dhjetë minutat e fundit, nuk pati ndonjë ndryshim të madh, me Bashkimin që synoi rikthimin, por Flamurtari menaxhoi lojën dhe epërsinë për të triumfuar në fund 82:70.
Te Flamurtari u dalluan Samra Omerbasiq me 20 pikë e 17 kërcime, Liliane Ikete Ndongbwo me 17 pikë e 17 kërcime, Sophia Jacobson me 22 pikë, pesë kërcime e shtatë asistime dhe Tea Memushi me 12 pikë, gjashtë kërcime e dhjetë asistime, kurse te Bashkimi u dalluan Arbnore Përquku me 22 pikë, pesë kërcime e shtatë asistime dhe Taliyah Hopkins me 18 pikë e pesë kërcime.