Ponte Prizreni ka shënuar fitore ndaj Apolonisë së Fierit në udhëtim me rezultat 69:87 (20:29, 18:17, 17:26, 14:15), në xhiron e parë të Ligës Unike.
Prizrenasit ishin më të mirë në çerekun e parë dhe të tretë, duke regjistruar fitoren e dytë në këtë edicion, pasi javën e kaluar mposhtën Pejën.
Në takimin që u zhvillua në Vlorë, pas një fillimi të barabartë, mysafirët në katër minutat e fundit të pjesës së parë, u shkëputën, duke e fituar këtë pjesë 20:29. Në periudhën e dytë u zhvillua lojë më e barabartë, ndërsa skuadrat shkuan në pushim me shifrat 38:46.
Skuadra nga Fieri ngushtoi shifrat në 43:47, por më pas prizrenasit u shkëputën deri në 17 pikë, ndërsa rezultati pas 30 minutash ishte 55:72. Mysafirët menaxhuan epërsinë dhe lojën në dhjetë minutat e fundit për të triumfuar 69:87.
Te Apolonia u dallua Ernest Myles me 18 pikë e tetë kërcime, kurse te Ponte Prizreni u dalluan Ivan Koljeviq me 16 pikë, gjashtë kërcime e gjashtë asistime dhe Dachon Burke me 22 pikë e pesë kërcime.