19/12/2022

Bashkimi triumfon pas vazhdimeve ndaj Tiranës

Bashkimi mundi Tiranën në udhëtim me rezultat 93:95 (31:13, 16:26, 12:25, 26:21, 8:10), në xhiron e pestë të Ligës Unike për femrat.

Vendaset e nisën shumë më mirë ndeshjen, me një seri prej 11:3 dhe e ngritën epërsinë minutë pas minute, duke e fituar çerekun e parë me shifrat e larta 31:13. Epërsia e skuadra tiranase arriti deri në 19 pikë, 45:26, por nga ky moment ‘u zgjuan’ prizrenaset, duke ngushtuar rezultatin, ku pjesa e parë përfundoi 47:39.

Mysafiret vazhduan me lojë të mirë edhe në pjesën e dytë, përkatësisht periudhën e tretë, ku epërsinë e kthyer në favor të tyre, ndërsa shifrat pas 30 minutash ishin 59:64. Në dhjetë minutat e fundit u zhvillua ndeshje interesante. Tiranaset ishin duke udhëhequr 82:77, por tetë pikë radhazi nga vashat prizrenase bën që të përmbyset rezultati në 82:85, por vashat bardheblu nuk u dorëzuan dhe Klea Verri në fund shënoi për 85:85 sa përfundoi koha e rregullt.

Edhe në vazhdime u zhvillua lojë interesante, ku Bashkimi ishte më i mirë 8:10 dhe triumfoi 93:95.

Te Tirana u dalluan Erisa Qosja me 27 pikë e shtatë kërcime, Imela Mala me 15 pikë, katër kërcime e pesë asistime dhe Klea Verri me 18 pikë e pesë kërcime, kurse te Bashkimi u dalluan Taliyah Hopkins me 31 pikë e 11 kërcime dhe Arbnore Përquku me 21 pikë, tetë kërcime e shtatë asistime.

Tirana ka një fitore e katër humbje, kurse Bashkimi dy fitore e tri humbje.