24/01/2023

Kampionet e Shqipërisë mundin kampionet e Kosovës

Kampioni i Shqipërisë, Flamurtari ka mundur kampionen e Kosovës, Penzën në udhëtim me rezultat 80:99 (18:27, 15:36, 25:16, 22:20), në xhiron e shtatë të Ligës Unike për femrat.

Mysafiret e nisën ndeshjen më mirë, duke pasur epërsi të lehtë, që e rritën në fund të çerekut të parë me gjashtë pikë radhazi për rezultatin 18:27. Vashat nga Vlora ishin bindshëm më të mira në periudhën e dytë, duke ngritur epërsinë minutë pas minute dhe në pushim shkuan me rezultat 33:63, plotë 30 pikë epërsi.

Kjo u mjaftoi për pjesën e dytë, ku menaxhuan lojën dhe nuk lejuan që t’iu rrezikohet fitorja, duke fituar 80:99.

Te Penza më e mira ishte Saranda Daci me 30 pikë e 13 kërcime, kurse më e mira te Flamurtari ishte Sophija Jacobsson me 27 pikë, 12 kërcime dhe tetë asistime, duke u ndihmuar nga Liliane Ndongbëo me 16 pikë e 14 kërcime dhe Samra Omerbasiq me 27 pikë e shtatë kërcime.

Skuadra pejane ka dy fitore e pesë humbje, ndërsa ajo vlonjate gjashtë fitore e një humbje.