Bashkimi ka mundur Penzën në xhiron e tetë të Ligës Unike për Femra me rezultat 78:62 (16:25, 24:15, 23:6, 15:16).
Çereku i parë ishte interesant, ku në fillim prizrenaset kishin epërsi të lehtë, por më pas rikthehen kampionet e Kosovës, që e fituan këtë pjesë 16:25. Megjithatë, lideret e Superligës së Femrave u rikthyen në periudhën e dytë, duke shkrirë epërsinë dhe pjesa e parë përfundoi me rezultat të barabartë 40:40.
Dallimi i madh u bë në periodën e tretë, ku vashat prizrenase dominuan totalisht, madje, pejanet për dhjetë minuta shënuan vetëm gjashtë pikë, ku rezultati pas 30 minutash ishte 63:46. Në dhjetë minutat nuk kishte ndonjë dallim të madh dhe Bashkimi triumfoi 78:62.
Te Bashkimi u dalluan Khadija Brown me 24 pikë e gjashtë kërcime dhe Dasia Evans me 22 pikë e nëntë kërcime, kurse më e mira te Penza ishte Saranda Daci me 15 pikë e 12 kërcime.
Prizrenaset kanë pesë fitore e tri humbje, ndërsa pejanet dy fitore e gjashtë humbje.