Flamurtari ka vazhduar me fitore në Ligën Unike të femrave, duke kryesuar bindshëm me shtatë fitore e një humbje, ndërsa sonte kanë mundur Tiranën me rezultat 71:58 (26:10, 18:26, 11:8, 16:14), kurse vashat tiranase kanë dy fitore e gjashtë humbje.
Vendaset e nisën ndeshjen për mrekulli me një seri fantastike 12:2, dhe vazhduan bindshëm në çerekun e parë që e fituan 26:10. Kampionet e Shqipërisë e shtuan epërsinë deri në 18 pikë, 33:15, por më pas rikthehen tiranaset, duke ngushtuar shifrat deri në tetë pikë, 44:36, sa përfundoi pjesa e parë.
Në pjesën e dytë u zhvillua lojë më e barabartë, megjithatë, Flamurtari arriti të ruajë epërsinë dhe të triumfojë 71:58.
Te Flamurtari u dalluan Liliane Ndongbëo me dyshifror të dyfishtë 20 pikë e 20 kërcime, Sophia Jacobson me 21 pikë e nëntë kërcime dhe Samra Omerbasiq me 18 pikë e 12 kërcime, ndërsa te Tirana më e mira ishte Aida Palko me 13 pikë e 13 kërcime.