08/03/2023

Përcaktohen skuadrat e Final 4

Dy ndeshjet e fundit të javës së dhjetë kanë përcaktuar renditjen përfundimtare të Ligës Unike të Femrave.

Bashkimi ka mundur Tiranën 93:68 (14:17, 36:15, 20:17, 23:19). Periudha e dytë ishte vendimtare në këtë përballje, ku prizrenaset e fituan me 21 pikë dallim dhe e ruajtën epërsinë deri në fund për të triumfuar me 25 pikë dallim, 93:68. Më e mira ishte Arbnore Përquku me 16 pikë, 12 asistime dhe shtatë kërcime, kurse te skuadra tiranase u dallua Enisa Qosja me 15 pikë, tri kërcime e katër asistime.

Bashkimi siguroi vendin e parë me shtatë fitore e tri humbje, ndërsa Tirana përfundoi garat me tri fitore e shtatë humbje.

Në sfidën tjetër, Partizani ka mundur Flamurtarin 68:73 (11:31, 23:20, 15:18, 19:4). Skuadra nga Tirana e nisi për mrekulli takimin, duke fituar çerekun e parë me 20 pikë dallim dhe përkundër tentimit të rikthimit nga ana e skuadrës vlonjate fituan 73:68, duke siguruar vendin e katërt, me pesë fitore e pesë humbje, ndërsa vlonjatet me shtatë fitore e tri humbje do të luajnë në “Play-off” nga vendi i dytë.

Samra Omerbasic ishte më e mira te Flamurtari me 23 pikë e 12 kërcime, ndërsa Ornela Lalaj dhe Jomra Matthis shënuan nga 20 pikë për Partizanin.

Në Final 4 që do të zhvillohet në Vlorë më 15/16 mars do të ndeshen Bashkimi me Partizanin dhe Flamurtari me Prishtinën.