Në një sfidë mjaft interesante deri në fund, Prishtina ka shënuar fitore ndaj Penzës me rezultat 81:75 (15:23, 24:17, 18:20, 24:15), në javën e dytë të Liga Unike Femrat.
Mysafiret e nisën ndeshjen më mirë, duke krijuar epërsi prej dhjetë pikësh në çerekun e parë, 8:18, derisa këtë pjesë e fituan 15:23. Por, bardhekaltret nuk u dorëzuan dhe u rikthyen shpejt në periudhën e dytë, për të përmbysur shifrat në 37:35, derisa pjesa e parë përfundoi 39:40.
Periudha e tretë ishte shumë interesante, ku herë njëra skuadër kalonte në epërsi e herë tjera, por pa arritur shkëputjen dhe shifrat pas 30 minutash ishin 57:60. Tre minuta nga fundi, rezultati ishte 73:72, por nga ky moment prishtinaset shkëputen dhe fitojnë 81:75,
Te Prishtina u dalluan Jade Williams me dyshifror të dyfishtë, 26 pikë e 23 kërcime dhe Asianae Johnson me 22 pikë, katër kërcime e tetë asistime, kurse te Penza më të mirat ishin Saranda Daci me 26 pikë e 11 kërcime dhe Peevy Lucia-Eksie me 23 pikë e tri kërcime.
Për prishtinaset ishte fitorja e dytë në dy ndeshje, kurse për pejanet humbja e dytë në dy ndeshje.